
Luciano Spalletti nuk dukej aspak i shqetësuar për rezultatin dhe mënyrën e lojës që Interi shfaqi në Bologna.
Trajneri i zikaltërve refuzoi të komentojë organikën e ekipit të tij dhe konkludoi se ka futbollistët e duhur për të arritur rezultate.
“Është e kotë të bëj analizë të organikës. Dihet se deri në dhjetor kam këta futbollistë, por më duhet ta pranoj se kam lojtarë mjaftueshëm për të luajtur dhe për të fituar. Pastaj, kemi edhe disa të rinj, momenti i të cilëve nuk ka ardhur ende, po shumë shpejt do t’i shohim në fushë”, tha trajneri zikaltër.
Spalletti komplimentoi Bolognen për lojën e zhvilluar, ndërsa shtoi se edhe ekipi i tij ishte pozicionuar mirë në fushë, por i mungoi shpejtësia.
“Bologna ishte rreshtuar shumë mirë. Edhe ne zhvilluam një ndeshje të mirë, por nuk kishim shpejtësi në daljet në sulm, çka na e komplikonte punën. Në pjesën e dytë morëm lojën nën kontroll dhe mendoj se mund të bënim më shumë, sidomos pas golit të barazimit”, tha Spalletti.
Top Channel