
Vepra “Vdes siç vdes një vend” e autorit grek Dimitris Dimitriadis çel sezonin artistik në Teatrin Kombëtar, me regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila do mbajë dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores.
Shfaqja ka premierën e saj të enjten.
“Më ka intriguer shumë mënyra sesi ai arrin ta thotë të vërtetën dhe analiza që i bën një vendi dhe që kalon përtej kufijve të Greqisë, që flet edhe në shqip, flet gjithandej. Përderisa i ka folur Europës dhe e ka gjetur Europa veten aty, imagjino si mund ta gjejmë ne”, thotë regjisorja Rozi Kostani.
“Vdes siç vdes një vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letersisë dhe teatrit bashkëkohor europian, ndërsa Kostani tregon konceptin e saj në skenë.
“Elementët e zërave të polifonisë janë shumë interesante, të cilat janë si thirrje të brendshme. Kostumi është fustanelle, pastaj janë etydet, të cilat e zbërthejnë tekstin, e zbërthejnë filozofinë e tij”, rrëfen ajo.
“Vdes siç vdes një vend” është psiko-analiza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”.
“E themi shpesh, çfarë vendi është ky dhe të gjitha ja shkarkojmë një vendi, kur në fakt janë njerëzit që e bëjne vendin”, deklaron regjisorja.
Top Channel