Vranë kafshë të egra, në kërkim 3 gjuetarë

19/09/2017 00:00

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Bashkëpunim me policinë e shtetit kanë ndaluar një mjet në zonën e Dragostunjës, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut, në të cilin u gjetën disa kafshë të vrara.

Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës dhe dyshohet se të përfshirë janë tre gjuetarë. Policia ka identifikuar gjuetarët dhe po punon për kapjen e tyre.

Aksioni i një nate më parë erdhi pas informacioneve që Administrata e Zonave të Mbrojtura kishte marrë në rrugë jo zyrtare.

Gjuetia në Zonat e Mbrojtura është gjithmonë e ndaluar, ndërkohë që në Shqipëri guetia është e ndaluar në të gjithë territorin me anë të një moratoriumi të vendosur në vitin 2014 deri në vitin 2021.

Pavarësisht kontrolleve të herë pas hershme që Administrata e Zonave të Mbrojtura ushtron në këto zona, kapja e gjuetarëve është e vështirë për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe një territor të madh që duhet të menaxhojë një roje pylli. Edhe pse parashikohet që një roje pylli të ushtrojë kontroll në një sipërfaqe prej 1 mijë deri në dy mijë, aktualisht një rojë pylli ka nën kontroll një sipërfaqe prej 5000 – 6000 hektarë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel