Kriza në Mianmar, Suu Kyi: Të kthehen myslimanët

19/09/2017 00:00

Në komentet e para të saj publike mbi krizën e minoritetit fetar “Rohingya”, udhëheqësja “de facto” e Mianmarit, Aung San Suu Kyi e bëri të qartë se qeveria e saj nuk i druhet “skanimit ndërkombëtar” mbi mënyrën sesi e ka menaxhuar situatën.

Laureatja e Nobelit të Paqes për të drejtat e njeriut është përballur me një valë kritikash ndërkombëtare, por ajo pretendon se shumica e myslimanëve nuk janë larguar nga vendi dhe se dhuna ka reshtur.

“Ndiej keqardhje të thellë për të gjithë njerëzit e përfshirë në konflikt. Mianmari është i angazhuar ndaj një zgjidhjeje të qëndrueshme për të gjithë komunitetet e këtij vendi. Jemi të gatshëm ta nisim në çdo moment procesin e verifikimit, dhe ata që do të vërtetohen se janë refugjatë, janë të mirëpritur në çdo moment të kthehen mbrapsht, pa asnjë problem dhe me garanci të plotë për sigurinë e tyre”, tha Aung San Suu Kyi, udhëheqëse e Mianmarit.

Më shumë se 400 mijë myslimanë “Rohingya” raportohet të kenë kaluar kufirin nga shteti verior i Rakhines drejt Bangladeshit fqinj, që nga fillimi i konfliktit në muajin gusht, kur nga sulmi i armatosur mbi një stacion policie gjetën vdekjen 12 vetë.

Sulmi çoi drejt një fushate të ashpër ushtarake, të përshkruar nga Komisioneri i të Drejtave të Njeriut në OKB si shembull i “spastrimit etnik” i nxjerrë nga librat. Edhe pse këto ngjarje e kanë zbehur figurën e saj nëpër botë, në Mianmar, San Suu Kyi vazhdon të mbetet tejet popullore.

“Është qeveria jonë demokratike, vet e zgjodhëm, përse të mos e mbështesim? Sulmet terroriste nuk mund t’i pranojmë. Rohingyat janë të ardhur dhe duhet të respektojnë banorët etnikë të këtij vendi”, tha Soe Myint, banor i Jangonit.

Top Channel