Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur sot dhe ka diskutuar atë që kreu i kësaj partie, Lulzim Basha e quajti hapi i parë për reformën zgjedhore.

Basha tha se duhet shembur lidhja e krimit me politikën për të siguruar zgjedhje të drejta e të pamanipuluara.

“Këto banda në Elbasan, siç e dinë të gjithë banorët e Elbasanit, ishin në krah të Edi Ramës për zgjedhjet e 25 qershorit. Ky është problemi: një qeveri që nuk ka ardhur me votën e qytetarëve, nuk është përgjegjëse para qytetarëve. Një qeveri që ka ardhur me lekët e pista të krimit, nuk e godet krimin, por e mbron atë, edhe kur krimi godet policinë. Ndaj, kemi diskutuar përsëri në detaje për hapin e parë që duhet hedhur për shembjen e këtij sistemi të kalbur politik, këtij karteli politiko-kriminal, që janë zgjedhjet. Po nuk u rregullua çështja e zgjedhjeve në Shqipëri, do të vazhdojmë të kemi qeveri që vijnë në pushtet me paratë e krimit e drogës dhe i bëjnë amin kriminelëve e bandave, ndërkohë që godasin qytetarët. Pse? Sepse nuk e kanë të lidhur fatin e tyre me qytetarët. Reforma zgjedhore është një urgjencë absolute. Brenda javës do të nis konsultimet me aleatët opozitarë të Partisë Demokratike dhe do të eksplorojmë qëndrime të përbashkëta me çdo forcë tjetër politike që është në opozitë me qeverinë e ardhur në aleancë me krimin, që sot i bën temena krimit dhe godet qytetarët”, tha Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta