
Në një kohë kur rrjetet sociale po bëjnë ligjin, mund të ndodhë që një video e regjistruar të përfundojë në duart e gabuara.
Kjo i ka ndodhur futbollistit të Paris St. Germain dhe përfaqësueses franceze, Layvin Kurzawa. Ky i fundit, teksa ishte në një bar me disa miq të tij, e lëshoi më shumë se ç’duhej veten në komentet kundrejt trajnerit Didier Deschamps, komente që nuk ishin aspak pozitive, madje arritën në kufirin e fyerjeve.
I gjithë ky episod u regjistrua dhe shkoi në duart e disa keqbërësve, të cilët i bënë shantazh futbollistit, duke i kërkuar një shumë të madhe parash nëse ai dëshironte që videoja të mos publikohej.
Kurzawa nuk ngurroi dhe bëri denoncimin në polici. Një punonjës i policisë u infiltrua mes keqbërësve në rolin e ndërmjetësit për të fiksuar një takim me ta. Nuk është e qartë shifra që iu kërkua Kurzawës nga ana e keqbërësve. Sipas “Europa 1”, ata i kërkuan 100 mijë euro, ndërsa agjencia “AFP” flet për një shifër prej 200 mijë eurosh.
Aksioni i policisë pati sukses, pasi plani i keqbërësve u çmontua nga Zyra për Luftën kundër Krimit të Organizuar. Plani ishte ai i grabitjes së futbollistit, ndërsa dilte nga banesa e tij me shumën e parave të kërkuara prej tyre.
Në fillim të muajit gusht, policia arrestoi 3 persona që vidhnin në zonën pranë shtëpisë së Kurzawës, ndërsa tani u arrestuan dy persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë, duke e çuar në 5 numrin e personave të vënë në pranga.
Kjo nuk është hera e parë që futbolli francez përballet me shantazhe nga keqbërësit. Rasti më i bujshëm është ai i Valbuenës, të cilit iu kërkua një shumë e madhe parash për mospublikimin e një videoje erotike, skandal në të cilin u përfshi edhe Benzema, që dyshohej si bashkëpunëtor.
Top Channel