Mposht Rusinë, Serbia në finale ndaj Sllovenisë

16/09/2017 00:00

Është Serbia ajo që do të vihet përballë Sllovenisë në finalen e kampionatit Europian të basketbollit për meshkuj.

Skuadra e Aleksandër Djordjeviç mposhti në gjysmëfinale Rusinë me rezultatin 87-79 në një ndeshje ku rrezikoi jo pak teksa pa që rusët arritën të anulojnë një disavantazh prej 16 pikësh.

Serbia e nisi mjaft mirë sfidën dhe arriti të marrë kryesimin në 5-0. Rusia u kundëpërgjigj dhe me Mozgov regjistroi një rezultat të pjesshëm 6-0 për të marrë kryesimin në 6-5.

Në këtë pikë ndeshjen e mori në dorë Bogdanoviç që shënoi 7 pikë radhazi për t’i dhënë skuadrës serbe kryesimin në 14-8. Gjithsesi Rusia hyn sërish në lojë falë Shved, megjithatë Serbia e mbylli në avantazhin 25-20 periodën e parë.

Në 10 minutat e dyta ai që u shfaq për skuadrën e Djordjeviç ishte Marjanoviç, i cili dha kontribut në regjistrimin e një rezultati të pjesshëm 12-0 nga ana e Serbisë që e ndihmoi këtë të fundit të shkëputet me 14 pikë në pushimin e sfidës 48-34.

Gjatë periodës së tretë Serbia e thelloi avantazhin teksa regjistroi rezultatin 55-39, por Rusia nuk ishte dorëzuar ende. Shved, Fridzon e Vorontseviç shënuan nga distanca e 3 pikëve duke e reduktuar diferencën në rezultat në vetëm -5 pikë 57-52.

Serbia sërish u përgjigj duke e rritur sërish këtë diferencë pikësh në 9 pikë, por nuk mund të kishte qetësi për skuadrën ballkanase që gjatë periodës së fundit e pa Rusinë të afrohej deri në 75-73, kur kishin mbetur 4 minuta nga fundi i takimit.

Ata që menduan të mbyllin llogaritë e kësaj sfide për Serbinë ishin Miçiç dhe Bogdanoviç me gjuajtjet e tyre të sakta për 3 pikë.

Top Channel