Mediat gjermane: Kina po “pushton” Ballkanin

15/09/2017 00:00

Kina është duke rritur praninë e saj ekonomike në Ballkan dhe përmes kësaj rajoni po bëhet gjithnjë e më i varur politikisht nga Pekini. Ky është alarmi i lëshuar nga gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që analizon ndikimin kinez në rajonin tonë.

“Problemi me shtetet e Ballkanit nuk është se janë të vogla, por se janë të dobëta ekonomikisht. Rëndësia e pakët politike dhe ekonomike si dhe pozicioni i tyre midis Rusisë, Turqisë dhe Europës së pasur Veri-perëndimore e bën rajonin të prekshëm ndaj përpjekjeve për manipulim. Shumë është shkruar tashmë për manovrat e Rusisë për të trazuar gjendjen aty dhe për influencën e Turqisë në Ballkan”, thuhet në analizë.

Por, pa zhurmë dhe jo fshehurazi përfshirja e një tjetër vendi është anashkaluar në Europën Jug-lindore.

Ekonomisti gjerman Jens Bastian i ngarkuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim analizoi angazhimin ekonomik të kompanive kineze në Ballkan. Ai thotë se nuk ka vend për panik, por sërish ngre dyshime për dimensionin politik të këtij ndikimi. Bastian paralajmëron që Ballkani mund të bëhet gjithnjë e më i varur politikisht nga Pekini përmes kredive të bankave kineze.

Në Serbi me paratë kineze po ndërtohet një linjë hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit si dhe një autostradë. Zakonisht bankat kineze i miratojnë kreditë për projekte të mëdha ndërtimi nëse kredimarrësi ngarkon me zbatimin e projektit një sipërmarrje kineze dhe punëson punëtorë kinezë.

Kjo do të thotë që ekonomisht prej kredive përfiton kryesisht vetë Kina, si shembull në rastin e Urës së Danubit në Beograd që përfundoi në vitin 2014. Serbia mori një kredi prej 260 milionë eurosh nga një bankë kineze dhe ajo u ndërtua nga një sipërmarrje kineze.

Depërtimit kinez në rajon nuk i ka shpëtuar as Greqia, një vend anëtar i Bashkimit Europian. Shembulli më i famshëm është Porti i Pireut, që po përjeton një bum qëkur sipërmarrja kineze “Cosco Pacific” siguroi në vitin 2009 koncesionin për kalatat e kontenierëve për 35 vjet.

Në Greqi gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ka pasur ndonjë investim tjetër që të ketë qenë më i rëndësishëm dhe që të ketë hapur më shumë vende të reja pune, aq të dëshiruara në krizën e thellë ekonomike që përfshiu vendin.

Pyetja që ngrihet nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung” është nëse ekziston rreziku që rajoni të shndërrohet në një koloni kineze para portave të BE-së? Përgjigjja e ekspertëve është një “jo” e prerë.

“Nuk ka vend për alarm. BE mbetet partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar për Ballkanin, por nëse avancimi kinez në Ballkan vazhdon dhe Brukseli vazhdon të humbasë interesin për rajonin, atëherë kjo mund të shndërrohet shqetësuese. Në Sarajevë, Tiranë, Beograd e Shkup sytë janë nga BE-ja dhe nuk ka vende të tjera ku BE ka ndikim më të madh dhe nëse kërkon të arrijë diçka, atëherë thjeshtë duhet ta dojë atë”, analizon gazeta e mirënjohur gjermane.

Top Channel