“Dita zë fill” në Tiranë

15/09/2017 00:00

“Dita zë fill” pati një fillim të mirë që prej premierës në Sarajevo Film Festival, pasi solli në Shqipëri zemrën e Sarajevës për aktoren Ornela Kapetani e një vlerësim pozitiv për filmin.

Me skenar dhe regji të Gentian Koçit, ky film është një dramë e fortë psikologjike që jo rrallë herë e çon një nënë të re drejt zgjedhjeve ekstreme për të rritur fëmijën e saj e vetme. Që prej së enjtes filmi do të jetë edhe në kinematë shqiptare.

“Sigurisht që Leta mund të punonte çdo lloj pune tjetër. Kameriere, pastruese, mund të kishte bërë çdo gjë. Unë kam zgjedhur ta çoj në këtë ekstrem sepse ne jemi në një vepër fiksion, në një vepër arti. Është një zgjedhje që po të më kishin pyetur mua personalisht, do ta kisha bërë 100 herë”, shprehet Gentian Koci, regjisor.

Duke dashur të merret me qënien njerëzor, Koçi shkruan një skenar nga pikëpamja e një femre, por pa ngjyra feministe, duke e lënë personazhin në mëshirë të fatalitetit të saj.

“Nga na psikologjike mund të thuash se ajo ka gjithmonë një konflikt. A mund ta bëj? A mund ta nxjerr ditën? A mund kjo ditë të vijë në fund? Dhe unë të kem akoma fuqi të mbaj djalin, apo të kem akoma fuqi të mbaj veten në këmbë. Tek ky personazh unë ndjeva se Leta ishte një femër e shtypur dhe ishte një femër që nuk kishte zë”, thotë Ornela Kapetani, aktore.

Dueli i saj në film me Sofinë, plakën e moshuar për të cilën kujdeset është i arrirë. “U bëmë bashkë, u përfshimë tek njëra tjetra mund të them dhe në këtë përfshirje lindi ajo dhembshuri”, shprehet Suzana Prifti, aktore.

I vetmi njeri që sjell pak dritë në jetën e zymtë të kësaj gruaje është figura e një postieri.

“Merr rol tjetër figura e postierit pasi ne nuk e dimë, ky bëhet viktimë e kësaj loje, apo me të vërtetë ndien diçka, apo fsheh diçka? Dhe këtë ja lëmë spektatorit”, thotë Kasem Hoxha, aktor.

Në këtë film Genti Koçi ka prekur edhe temën e eutanazisë, si një element i lëvruar pak ose aspak në kinemanë shqiptare.

Top Channel