Shqipëri-Britani forcojnë bashkëpunimin ushtarak

14/09/2017 00:00

I janë dashur pak minuta një skuadre ushtarake britaniko-shqiptare që të lirojë një ndërtesë të zënë nga elementë terroristë të armatosur deri në dhëmbë, edhe me armë kundërajrore.

Në fakt kjo ishte pjesë e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake shqiptaro-britanike, por edhe në një situatë reale skuadra në fjale do të kishte të njëjtin rezultat falë koordinimit të trupave tokësore, detare, ajrore dhe policisë ushtarake.

Kjo stërvitje, që u zhvillua në bazën e Bisht Pallës, u ndoq nga afër nga persidenti i Republikës, Ilir Meta, si dhe nga shefat e shtabeve të Forcave të Armatosura shqiptare dhe britanike.

Presidenti Meta e cilësoi këtë stërvitje si një ripërtëritje të aleancës shqiptaro-britanike, që daton që nga Lufta e Dytë Botërore. “Aleanca jonë me Britaninë ka një hsitori të hershme që gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur 53 ushtarakë dhe oficerë britanikë dhanë jetën e tyre përkrah shqiptarëve.

Sot kemi një ripërtëritje të kësaj aleance, brenda aleancës më të madhe të botës së lirë, NATO-s”, tha Meta. Nga ana tjetër, shefi i Shtabit të forcave britanike, Stuart Peach u shpereh i bindur se e ardhmja e dy vendeve është më e sigurt në radhët e NATO-s.

“Ne kemi ecur së bashku me eskperiencat tona ushtarake në NATO. E di se do të punojmë serish së bashku në të ardhmen. Unë kam bindjen, si shefi i Shtabit së Mbretërisë së Bashkuar, që e ardhmja jonë është shumë më e sigurt si rezultatë i kësaj aleance. NATO mbetet lidhja jetike që mundëson sigurinë në vendin tonë”, deklaroi Peach.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura shqiptare, i cili tha se vetëm bashkëpunimi mund t’i bëjë ballë ndikimeve të faktorëve të jashtëm në Europë dhe me gjerë.

“Kohët e fundit është vënë re një rritje e frikshme e ndikimit të faktorëve joshtetërorë dhe për këtë arsye lind detyrimi ynë që jo vetëm të bashkëpunojmë, por edhe të bashkëveprojmë me vendet e Alencesm, si e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë kërcënimeve të përbashkëta”, tha Bardhyl Kollçaku.

Top Channel