Lotaria amerikane, DASH e konfirmon edhe për vitin 2018

14/09/2017 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se, për vitin fiskal 2018 do të ketë sërish 50 mijë viza në dispozicion të fituesve të lotarisë amerikane nëpër botë. Përzgjedhja, si përherë është rastësore, përmes një shorti kompjuterik.

Numri i vizave shpërndahet mes 6 rajoneve gjeografike dhe asnjë vend nuk mund të marrë më shumë se 7% të totalit të vizave të shumëllojshmërisë, të akorduara në një vit për këtë qëllim.

Shqipëria hyn në mesin e shteteve që kualifikohen si përfituese të lotarisë. Periudha e aplikimit nis më 3 tetor 2017 e zgjat deri më 7 nëntor 2017.

Këshilla, megjithatë, është të mos pritet deri në ditët e fundit për të aplikuar, sepse kërkesat e shumta e rëndojnë faqen përkatëse të internetit.

Për t’u regjistruar për lotarinë nuk ka asnjë tarifë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në konsullatë, vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur. Para aplikimit për lotarinë duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar.

Kërkesa për arsim të mesëm të barabartë me arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për t’u kualifikuar janë të kufizuara.

Kualifikimet nuk shqyrtohen para intervistës, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë.

Top Channel