Interkonjeksioni, Gjermania ndërmjetëson konfliktin Serbi-Kosovë

14/09/2017 00:00

Qeveria gjermane është vënë në lëvizje për zgjidhjen e konflikit mes Serbisë dhe Kosovës për çështjen e linjës së interkonjeskonit të transmetimit të energjisë mes dy vendeve.

Berlini zyrtar kërkon përshpejtmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes dhe përmes një shkrese zyrtare Ministria e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë i është drejtuar Sekretariatit të Energjisë në Vjenë për zhbllokimin e situatës.

Disa muaj më parë ishte kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në Parlament pati deklaruar se do të kërkonte ndihmën e Gjermanisë për këtë konflikt.

Vetë shteti gjerman është veçanërisht i shqetësuar, pasi mosmarrëveshjet po mbajnë peng investimet në sektorin e energjisë në rajon dhe po bllokojnë integrimin e tregut rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Serbia në fakt nuk po lejen përdorimin e kësaj linje, e cila i shërben jo vetëm këtyre vendeve, por gjithë rajonit, përfshirë Shqipërinë. Kështu, sasitë e energjisë që mund të kalojnë nga Serbia përmes Kosovës në drejtim të Shqipërisë nuk mund të vijnë, duke bërë që linja e interkonjeksionit mes dy vendeve shqipfolëse të jetë jashtë përdorimit. Qeveria gjermane ka qenë financuese e këtij projekti me 75 milionë euro.

Shqipëria ka bërë disa ankesa në Sekretariatin e Energjisë, i cili ka negociuar mbi kundërshtitë e palëve dhe ka arritur në një marrëvshjeve bilaterale që gjithësesi nuk është zbatuar.

Tani është qeveria gjermane që kërkon që kjo çëshjte të zgjidhet sa më parë, duke marrë dhe rol negociues. Për Shqipërinë përfitimet do ishin të rëndësishme pasi rriten rrugët e transmetimit të energjisë dhe lidhjet me tregjet e energjisë do të zgjerohen.

Top Channel