
Milani ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme pas asaj humbjeje të thellë me Lacion në Serie A, duke mposhtur këtë herë Austrinë e Vjenës 5-1, në raundin e parë të ndeshjeve në grupe të Europa League.
Një trigolësh i Andre Silvës dhe një gol i turkut Calhanoglu, me këtë të fundit që dha edhe dy asiste për dy nga golat e asit portugez, e më tej një gol nga distanca i spanjollit Suso pas aktivizimit në pjesën e dytë, ishin përgjigjja më e mirë ndaj kritikave të shumta që ranë mbi kuqezinjtë nga Milano.
Megjithëse një kundërshtar inferior në letër, Austria e Vjenës ia doli të paktën të shënojë një gol, me anë të Borkoviç, përballë Milanit të trajnerit Montella, i cili në këtë takim ndryshoi edhe taktikë duke luajtur për herë të parë me skemën 3-5-2.
Në këtë mbrëmje të parë të Europa League për këtë sezon spikasin edhe fitorja e Atalantës 3-0 përballë Evertonit, ndeshje në të cilën portieri i kombëtares kuqezi, Etrit Berisha e ruajti të paprekur katërkëndëshin e tij.
Ndërkohë, francezëve të Lionit iu iku nga duart fitorja në minutat e fundit të transfertës qipriote, teksa barazuan 1-1 me Apollon Limasolin, ndërsa fitore në transferta kanë siguruar edhe Braga, 2-1 ndaj Hoffenheimit, dhe AEK-u i Athinës, 2-1 ndaj Rijekës në një “derbi” të zjarrtë ballkanik.
Slavia e Pragës ka mposhtur 1-0 izraelitët e Maccabi Tel Aviv, ndërsa Villarreal ka mposhtur 3-1 kazakët e Astanës. Ndeshja tjetër e grupit ku bën pjesë Skënderbeu, ajo mes zviceranëve të Young Boys dhe serbëve të Partizanit të Beogradit është mbyllur në barazim 1-1.
Me rrjeta të paprekura janë mbyllur 3 takime të tjera, Basaksehir-Ludogorets, Zlin-Sheriff Tiraspol dhe Kopenhagen-Lokomotiv e Moskës.
Top Channel