Dinamo Kiev-Skënderbeu, korçarët nisin aventurën evropiane

14/09/2017 00:00

Skënderbeu nis sot aventurën e tij në fazën e grupeve të Europa League me ndeshjen ndaj Dinamos së Kievit, që do të luhet në orën 19:00 në kryeqytetin ukrainas.

Skënderbeu e zhvilloi edhe seancën e fundit stërvitore dhe sipas trajnerit Ilir Daja, gjendja është shumë e mirë. Mungesa e vetme e Skënderbeut është ajo e Nimagës, i cili është i pezulluar për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të marrë në sfidën me Dinamon e Zagrebit. Trajneri Daja në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes deklaroi se Dinamo e Kievit, ashtu sikurse edhe skuadrat e tjera të grupit B, është shumë i fortë, por skuadra e tij do të kërkojë të japë maksimumin gjatë gjithë kësaj faze, duke qenë se tashmë ajo ka fituar përvojë në arenën evropiane. 

Ndërsa te Dinamo e Kievit, trajneri Oleksander Khatsevich tha se skuadra e tij duhet të respektojë të gjithë kundërshtarët në grup dhe se futbollistët e tij duhet të tregojnë aftësitë në fushën e lojës. Përsa i përket Skënderbeut, Khatsevich tha se e ka studiuar lojën e korçarëve duke u bazuar te ndeshjet që ata luajtën me Dinamon e Zagrebit dhe atë në kampionat. Në lidhje me gjendjen e skuadrës, duket se dyshimet ishin vetëm per Tomas Kedziora, i cili është prekur nga një virus. Khatsevich tha se futbollisti po kurohet në Varshavë dhe se gjendja e tij po përmirësohet.

Sfida mes Dinamos së Kievit dhe Skënderbeut do të luhet në stadiumin Olimpiskij. Ai që do të gjykojë këtë ndeshje do të jetë belgu Bart Vertenten, i ndihmuar nga anësorët Vanizere dhe Nijsen.

Top Channel