Stuhia dëmton bujqësinë

12/09/2017 00:00

Pasditen e së hënës erërat e forta dhe shiu i rënë me  intensitet të lartë kanë shkaktuar dëmtime kryesisht në pemë frutore e serra të mbuluara me plastmas.

Përgjatë rrugës së saj stuhia, e cila ka përshkuar nënprefekturën e Lushnjes në drejtim jug-perendim – veri-lindje, nuk ka kursyer as tabelat e hekurta të vendosura në autostradë dhe tabelat reklamuese.

Më të mëdha dëmet janë në sferën e bujqësisë. Mbjelljet e vjeshtës për dhjetëra fermerë kanë dështuar sapo kanë nisur.

Erërat e forta kanë dëmtuar totalisht të paktën 4 serra me sipërfaqe nga 2 deri në kater dynymë, ndërsa dëmtimet e plastmasit mbulues kanë qenë pothuaj në 60 përqind të serrave.

Një prej fermerëve të dëmtuar nga moti i keq shprehet se janë të paktën 2 milionë lekë të vjetra dëm në serrën e tij, pasi plastmasi është pothuajse i papërdorshëm.

Drejtoria e Bujqësisë në Lushnje ende nuk ka një tablo të plotë të dëmeve të shkaktuara nga stuhia e djeshme, por në terren janë nisur grupet e punës për t’i identifikuar ato, ku fermerët nga përvoja nuk presin ndonjë ndihmë konkrete.

Top Channel