Bozdo: Veliaj e gjeti gati projektin e Bulevardit të Ri

12/09/2017 00:00

Enno Bozdo është shprehur se “e vetmja gjë për të cilën duhet vlerësuar Erjon Veliaj është aftësia e tij mjeshtërore për të gënjyer pa u skuqur e zverdhur”.

“Sot tha se pas dy vjetësh ka përfunduar projektin e Bulevardit të Ri, projekt të cilin në fakt jo vetëm e gjeti gati nga administrata Basha, por madje edhe në zbatim. Po në të njëjtën mënyrë gënjeu përpara disa ditësh me Unazën e Re. Sepse në fakt të gjitha projektet e mëdha të Tiranës-Metropol, i gjeti të nisura apo në proces nga administrata Basha. Kështu ndodhi edhe me Bulevardin, të cilin e gjeti në proces zbatimi megjithë bllokimin absurd disavjeçar që i bënë këshilltarët socialistë në Bashki, e më pas Prefekti, Ministria e Financës dhe e gjithë Qeveria e Edi Ramës”, tha Bozdo.

“Sot Veliaj thjesht ka përfunduar metrat e nisura nga administrata e mëparshme. Nuk ka përparuar asnjë metër më tej. Prandaj është i detyruar të gënjejë që për dy vjet nuk arriti të përparojë në zbatimin e projektit. Pse nuk arriti? Çfarë e pengoi? E thjeshtë: i duhej të ndryshonte plani që të ndërtoheshin kulla shumëkatëshe për oligarkët afër tij, që me këto para të mbushë xhepat dhe të blejë votat e zgjedhjeve të ardhshme. Ndërsa në dy vjet Lulzim Basha ia doli të bëjë projektin, të sigurojë financimin e tij, të lidhë kontratën për realizimin e projektit dhe të nisë punën e të hapë trasenë në një pjesë të konsiderueshme të projektit, Veliaj nuk përparoi as edhe një metër! Për çfarë iu deshën Erjon Velisë 2 vjet?! Sa kulla betoni ka parashikuar përgjatë bulevardit, aty ku ishin përcaktuar hapësira të gjelbra për fëmijët? Të kujt janë këto kulla? Çfarë interesash lidhin Velinë me pronarët e tyre? Basha la në zbatim një vizion për Tiranën e shekullit të 21, projekte në zbatim dhe të gatshme, që u stopuan me paramendim si pasojë e bllokimit nga qeveria Rama, ndërsa Veliaj po lë pas betonizimin e Sheshit Skënderbej, betonizimin e lulishtes tek Policia Bashkiake, rritje disafish të taksave, mbyllje të mijëra bizneseve të vogla, rritjen e çmimit të ujit, si dhe rekordin që nuk do të sfidohet kurrë: daljen e përditshme në TV”, shtoi Bozdo.

Top Channel