Rinia dhe Ballkani Perëndimor, prioritetet e presidencës bullgare në BE

11/09/2017 00:00

Të rinjtë dhe Ballkani Perëndimor do të jenë në qendrën e vëmendjes së presidencës bullgare të bllokut europian, pohuar kjo në 10-vjetorin e hyrjes së vendit në BE, nga ministrja e ngarkuar me mbarëvajtjen e këtij procesi, Liliana Pavlova.

Sofja do të ketë si prioritete të saj sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen e të rinjve. Por, nga sa pohoi Pavlova, e cituar prej shtypit vendas, Bullgaria do të mbështesë gjithashtu nevojën e një shpeshtimi të bisedimeve për të hedhur më shumë dritë mbi perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

“Nga shtatori deri në nëntor do të zhvillojmë një sërë debatesh publike në Asamblenë Kombëtare dhe me organizatat joqeveritare, në mënyrë që në fund të muajit nëntor t’i kemi përmbledhur rezultatet e të hartojmë variantin e plotë të Programit tonë Kombëtar”, tha Liliana Pavlova, ministre e Punëve Publike në Bullgari.

Varianti përfundimtar i programit kombëtar të presidencës europiane të Bullgarisë, me shumë gjasë do të aprovohet në fillim të dhjetorit. Nga sa sqaroi Pavlova, kryeministri Boyko Borisov ka ngritur me mbështetjen e politikanëve europianë një këshill të lartë këshillimor politik, aktiviteti i të cilit do të fokusohet te prioritetet e vendit kur të marrë në duar frerët e drejtimit 6-mujor të bllokut.

Bullgaria e merr më 1 janar presidencën e radhës të BE-së. Ministria e Jashtme, Ekaterina Zaharieva e pati deklaruar gjatë vizitës së saj në Shqipëri se, përparësi e Sofjes do të jetë zgjerimi, ndërsa shprehu mbështetjen për rrugën e vendit tonë drejt bllokut europian.

Top Channel