Blair kërkon forcim të rregullave të emigrimit për europianët

10/09/2017 00:00

Tony Blair i ka bërë thirrje qeverisë britanike të ndërmarrë një politikë të re ndaj emigracionit, e cila të rikthejë kontrollet, dhe këtë e bën pavarësisht faktit se kur ai vet ishte kryeministër, qeveria e tij nuk aplikoi kontrolle tranziti për emigrantët nga Europa Lindore, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të BE-së.

Në artikullin e publikuar nga “Sunday Times”, ai thotë se “kohët kanë ndryshuar tashmë” dhe se të gjithë shtetasit e vendeve të BE-së duhet të regjistrohen kur mbërrijnë në Britani e duhet gjithashtu të kenë edhe një ofertë të vlefshme për punësim.

Megjithatë, Blair vazhdon ta kundërshtojë largimin e vendit nga Bashkimi Europian, duke argumentuar se kjo do të jetë “e dhimbshme”. Ai thotë se politikat më të rrepta të emigracionit do të përballnin ankthet që solli votimi për “Brexit”-in, pa dashur medoemos që Britania të ecë përmes kësaj rruge.

Sipas rregullave ekzistuese, qytetarët nga vendet e BE-së mund të deportohen pas 6 muajsh nëse nuk kanë mundur të gjejnë një punë, nuk kanë mundësi realiste për ta gjetur një të tillë, apo nëse kërkon mbështetje nga sistemi i mirëqenies. Por, raporti i ri nga Instituti për Ndryshimet Globale i Tony Blair thotë se shtetasit e BE-së duhet të kenë një ofertë për punë kur të mbërrijnë në Britani.

Ndërsa ata që nuk mundet ta fitojnë lejen e qëndrimit, duhen penguar të hapin një llogari bankare, të marrin me qira një shtëpi, apo të sigurojnë përfitimet sociale. Raporti propozon gjithashtu kufizimin e kujdesit falas shëndetësor për emigrantët e papunë, si dhe lejon universitetet që të vendosin tarifa më të larta studimi për shtetasit e BE-së krahasuar me studentët britanikë.

Blair argumenton se kjo qasje e tij “arrin t’u tregojë votuesve pro largimit se shqetësimet e tyre janë përmbushur më së miri”, pa përjetuar “dëmet” që ai pretendon se do të shkaktojë “Brexit”-i.

Madje, ai vet e pranon se mendimet e tij kanë ndryshuar tashmë.

“Qeveria ime në vitin 2004 nuk i aplikoi marrëveshjet tranzicionale kur vende të Europës Lindore iu bashkuan BE-së”, shkruan ai. “Po të kthehemi në atë kohë, ekonomia ishte e fortë, kërkesat për forcë punëtore ishin të larta dhe, në të vërtetë, numri më i madh ka ardhur pas 2011-s. Por çështja kryesore është kohët kanë qenë të ndryshme, ndjeshmëria gjithashtu, ndaj dhe politikat e zgjuara llogarisin edhe të tilla ndryshime”.

Top Channel