Anija “Oriku” shpëton 52 emigrantë

10/09/2017 00:00

Anija shqiptare “Oriku” është përfshirë mesnatën e së shtunës në një operacion gjurmimi të një gomoneje me emigrantë dhe shpëtimit të tyre, në bashkëpunim me një anije të Frontex.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës dhe orët e para të së dielës, duke nisur nga 23:15 deri në 00:42.

Gomonia me emigrantë ishte pikasur në një distancë prej 1.2 miljesh nga brigjet turke, me destinacion ishullin Kios. Anija “Oriku” mori menjëherë të gjitha masat për njoftimin e komandës së grupit të gatshëm të NATO-s, Rojes Bregdetare turke dhe njësive të Policisë Kufitare të BE-së, Frontex.

Operacioni përfundoi me sukses, duke imbarkuar të sigurtë në bordin e anijes së Frontex, për verifikimin e mëtejshëm dhe regjistrimin nga autoritetet, të 52 emigrantëve, nga të cilët 19 fëmijë, 8 gra dhe 25 burra. Prej tyre, 24 ishin sirianë, 20 irakianë, 7 afganë dhe një palestinez.

Emigrantët e imbarkuar u shoqëruan për t’iu dorëzuar autoriteve në portin e ishullit Kios, e për fat të mirë nuk ka pasur persona të humbur në ujë apo të dëmtuar.

Top Channel