Në një vit 12 mijë dënime. Ekspertët e BE: Kanë rrezikshmëri të ulët

08/09/2017 00:00

Të dhënat statistikore vjetore të Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se vetëm për 2016-n janë shpallur fajtorë dhe dënuar nga 2 deri në 5 vjet 12.633 shtetas.

Duke sugjeruar aplikimin e dënimeve alternative dhe jo burgun, Greg Riley Smith, këshilltar i projektit të binjakëzimit të Bashkimit Europian për mbështetjen e sistemit të burgjeve dhe shërbimit të provës, thotë se Shqipëria mban vendin e parë të dënimeve me burg, jo vetëm në Europë, por edhe në botë.

“Nëse nuk marrim parasysh pjesën e amnistive, popullata në burgje do të ishte rreth 12 mijë persona çdo vit, që do të thotë se në realitet Shqipëria ka nivelin më të lartë të burgimit në të gjithë botën. Kjo na çon në pyetjen a është Shqipëria vendi më i kriminalizuar në botë që ka numrin më të lartë të dënimeve me burg? Përgjigjja është jo. Do të guxoja të propozoj se ka shumë individë në burgje që nuk duhet të jenë aty, sepse qëndrimi i tyre është kosto për shtetin dhe përveç kësaj them se këta individë, duke u mbajtur në burg mund të përkeqësohen”, këshillon Smith.

Tashmë avokat, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shpjegon se kjo gjendje shkaktohet nga tendenca për të kriminalizuar gjithçka.

“Praktikisht e kanë çuar në kolaps këtë sistem. Sistemi i ndjekjes penale bazohet tek dyshimi i arsyeshëm që i lë e i harron të tërë në burg. Ashtu siç edhe presioni politik që shtohet nga ekzekutivi vit pas viti për të shtuar masën e dënimit me burg edhe për persona që nuk janë të rrezikshëm, si për shembull për mospagimin e dritave, mungesën e kuponit, etj, që zgjidhen me masa administrative”, thotë ish-ministri i Drejtësisë.

Aktualisht mbipopullimi në burgje është 300 persona mbi kapacitetin, ndërsa katër vitet e fundit janë aplikuar tri amnisti, pikërisht për personat që nuk kanë rrezikshmëri.

Top Channel