Shkodër, homazhe për gjyqtaren Fildez Hafizi

07/09/2017 00:00

Kolegët e gjyqtares së ndjerë Fildez Hafizi, në Gjykatën e Shkodrës, kanë bërë sot homazhe në nder të figurës së saj, pak ditë pas vrasjes nga ish-bashkëshorti.

Homazhet kanë nisur me 1 minutë heshtje dhe janë mbajtur në një nga sallat e seancave gjyqësore, ku, siç janë shprehur kolegët, Hafizi ishte e pranishme çdo ditë.

Zonja Hafizi kishte pak muaj që kishte nisur punë në Gjykatën e shkallës së parë të Shkodrës, por kolegët e kanë vlerësuar për profesionalizmin dhe mënyrën e saj të komunikimit.

“Fildezin e kemi pasur për një periudhë të shkurtër në gjykatën tonë, për 5 muaj, por që ishte një kohë e mjaftueshme për të njohur shpirtin e saj”, u shpreh gjyqtari Arbër Çela.

Homazhet janë zhvilluar nga ora 10 deri në 11 dhe të pranishëm kanë qenë edhe prokurorë, zyrtarë policie, drejtues të institucioneve vendore, si dhe miq e të njohur të gjyqtares Hafizi.

Top Channel