
Kur kanë mbetur vetëm 4 ditë nga fillimi i vitit shkollor për shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare, Drejtoria Arsimore e Tiranës thotë se gjithçka është gati. Vetëm në dy gjimnaze në Tiranë mësimi do të zhvillohet me dy turne.
“Numri i shkollave që do të zhvillojnë mësim me dy turne është reduktuar vetëm në gjimnazin “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri” do të vijojë ashtu, ndërsa të tjera vetëm paradite. Pasi ndërtimi i shkollave të reja e ka reduktuar këtë problem”, shprehet Arjola Byzyka, drejtore e Drejtorisë Arsimore.
Por nuk është e njëjta gjë për shkollat 9-vjeçare pasi pothuajse gjysma e tyre do të vijojnë të zhvillojnë mësimin paradite dhe mbasdite. Ndërkohë që numri i nxënësve në klasë është 32 deri në 35.
“Janë pothuajse 35 shkolla të cilat do të vijojnë me dy turne nga 67 që ka Tirana. Por shpresojmë që me projektin e ndërtimit të shkollave të reja ky fenomen do të reduktohet nga viti në viti”, thotë Byzyka.
Por shqetësim mbeten ende tentativat e prindërve për t’i regjistruar fëmijët në shkollat që preferojnë, gjë sipas drejtoreshës është penguar këtë vit.
“Ne kemi të njëjtin standard në çdo shkollë. Janë kërkesat e prindërve të cilët duan me çdo kusht të regjistrojnë fëmijën në shkollat preferenciale, ajo që ka bërë të ketë radhë në dyert e shkollave”.
Të gjitha shkollat e Tiranës janë lyer dhe higjienizuar për të nisur procesin mësimor të hënën në 11 shtator.
Top Channel