Drejtësia europiane refuzon sfidën ndaj kuotave të detyrueshme

06/09/2017 00:00

Gjykata më e lartë europiane e Drejtësisë ka refuzuar sfidën ligjore të vendeve europiano-lindore kundër marrëveshjes për shpërndarjen e emigrantëve të arritur në kulmin e krizës së refugjatëve të vitit 2015. Gjykata Europiane e Drejtësisë refuzoi kundërshtimet e Hungarisë dhe Sllovakisë ndaj skemës së detyrueshme të kuotave fikse.

Hungaria nuk ka pranuar as edhe një azilkërkues të vetëm që prej hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje dy vite më parë. Masat synonin në atë kohë të lehtësonin presionin ndaj vendeve në kufijtë e jashtëm të BE-së, si Greqia e Italia.

Megjithatë, vetëm 28 mijë njerëz janë shpërndarë sipas skemës, ndërsa marrëveshja ishte arritur për të paktën 160 mijë azilkërkues në kohën kur u nënshkrua në shtator të vitit 2015.

Zyrtarët e BE-së këmbëngulën që në fillim se skema ishte detyruese për çdo vend anëtar, pavarësisht nëse dikush kishte votuar pro apo kundër saj. Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Rumania i kanë kundërshtuar kuotat e shpërndarjes së refugjatëve.

Ato argumentojnë se problemi nuk ishte i tyre, se politika në fjalë i ekspozonte vendet e tyre ndaj rrezikut të terrorizmit islamik dhe se përfaqësonte një kërcënim ndaj shoqërive të tyre homogjene.

Hungaria dhe Sllovakia argumentuan edhe në Gjykatën e Drejtësisë se ka pasur gabime proceduriale, e se kuotat nuk ishin një përgjigje e përshtatshme ndaj krizës së emigrantëve. Por, çështja e tyre ligjore u refuzua nga gjykata, e cila në vendimin e saj thekson:

“Gjykata hedh poshtë ankimimet e sjella nga Sllovakia dhe Hungaria, kundër mekanizmit provizor për shpërndarjen e detyrueshme të azilkërkuesve. Ky mekanizëm kontribuon aktualisht ndaj Greqisë dhe Italisë që të mund të përballen me impaktin e krizës së emigrantëve, e është proporcional”.

Top Channel