Gjelbërimi në Gjirokastër, po punohet për sipërfaqe të reja

05/09/2017 00:00

Hamit Asllani është një ndër kopështarët më të vjetër në Gjirokastër. Punën e ka nisur 30 vjet më parë, duke mësuar prej atyre që krijuan lulishtet e para në qytet. Periudha më e vështirë që ai mban mend është viti 1997, kur shkatërrimi nuk kurseu asgjë.

“Ky zanat nuk ka të sosur. Do të shoh në televizor dhe në udhëtime për gjëra të ndryshme se çfarë mund të bëjmë. Viti ‘97 ka qenë i vështirë, si për ne edhe për të tjerët. Neve kishim një pozicion që edhe sikur t’i thoshim dikujt mos e prek këtë lule, merrnim një tjetër përgjigje asokohe”, tregon Asllani.

Sfida e Hamitit dhe 21 punonjësve të tjerë sot në Gjirokastër është të shtojnë sipërfaqet e gjelbra dhe për këtë po shfrytëzohen hapësirat mes pallatave. Në çdo lagje të qytetit janë mbjellë qindra fidanë bliri.

“Në tetor do fillojmë mbjelljen e pemëve në disa zona, do kompletojmë unazën, në lagjen 18 shtatori do bëjmë ca lulishte të reja, etj. Por kemi pasur probleme sepse kur bliri çel lule, njerëzit shkojnë e thyejnë”, thotë Hetem Seferi, drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Publike.

Në Gjirokastër ndodhen 8.400 m² hapësirë e blertë brenda parkut të Viroit dhe vetëm 4.000 m² brenda ne qytet. Gjatë dekadave të fundit, niveli i sipërfaqes së blertë është reduktuar në rreth 0.5 m² për banor, një ndër më të ulëtat në Shqipëri.

Top Channel