Bashkia e Tiranës, bashkëpunim me Bashkinë e Vjenës

05/09/2017 00:00

Një delegacion nga Bashkia e Vjenës viziton Tiranën në sajë të rritjes së bashkëpunimit të dy institucioneve në fusha konkrete që kanë të bëjnë me zhvillimin urban dhe menaxhimin e qyteteve.

“Për t’u bërë më të mirë duhet të mësojmë nga më të mirët. Prej vitesh, Vjena renditet si një nga qytetet më të jetueshëm në botë. Ndaj, besoj se duke bashkëpunuar me menaxherët e qytetit të Vjenës në të gjitha fushat, duke filluar nga transporti publik, te përpunimi i mbetjeve, infrastruktura, kultura, urbanistika, mund të mësojmë nga më të mirët, të sigurohemi që jo vetëm nuk bëjmë gabimet që të tjerët mund t’i kenë bërë përpara nesh, por të shijojmë idetë më inovatore për menaxhimin e Tiranës”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kësaj vizite i parapriu ajo e vet kryabashkiakut të Vjenës pak javë më parë. Delegacionin e kryeson drejtoresha e Përgjithshme e Planifikimit Urban, Zhvillimit dhe Ndërtimit të qytetit të Vjenës, Brigitte Jilka, me të cilën u diskutuan çështje me rëndësi të përbashkët në në nivel teknik, për të cilat Veliaj dhe Jilka u shprehen të kënaqur.
 
“Marrëdhënia jonë me Vjenën është një marrëdhënie reale, ku njerëzit që kemi në krye të punëve më të rëndësishme, të qyteteve respektive, në një farë mënyre po bashkëpunojnë për t’i bërë qytetet tona akoma edhe më të mira”, u shpreh Veliaj.

“Ne ja kemi dalë me sukses të rrënjosim mentalitetin në qendër të Europës dhe unë besoj se kjo është një arsye e mirë që ta fillojmë këtë bashkëpunim. Qeverisja e mirë është çelësi për një jetë më të mirë dhe qeverisja e mirë përfshin mendjen e hapur, përfshin shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave, e gjithashtu përfshirjen e shoqërisë civile. Unë mendoj se kjo është ajo çka nisëm në Vienë dhe gjithashtu këtu në Tiranë”, deklaroi  Brigitte Jilka nga Bashkia e Vjenës.

Delegacioni i Bashkisë së Vjenës dhe përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët ku shkëmbyen ide për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të dy qyteteve.

Top Channel