
Kryeqyteti grek është kthyer për të tretën natë rresht në arenë përplasjesh mes anarkistëve dhe policisë. Skena e përballjes së radhës ka qenë zona pranë Politeknikumit të Athinës dhe rrugicat e lagjes rebele “Eksarxia”.
Burime policore sqaruan se, grupe të organizuara anarkistësh kanë dalë nga godina e Politeknikumit dhe i kanë qëlluar forcat e rendit me gurë dhe kokteje molotovi. Efektivët janë përgjigjur me tymuese. Autoritetet thonë se, gjatë sulmeve të 3 ditëve të fundit, asnjë anarkist nuk është vënë në pranga.
Pothuaj asnjë dyqan i “Eksarxia”-s nuk i ka shpëtuar tërbimit të anarkistëve gjatë goditjeve të tyre të panumërta në këtë lagje. Edhe pse ajo gjendet në zemër të Athinës, asnjë autoritet shtetëror nuk ka mundur të hyjë aty, duke e kthyer këtë zonë në një strehë të krimit e kontrabandës së cigareve dhe drogës.
Çështja e “Eksarxia”-s ka nxitur edhe përballjen mes partive politike vendase. Opozita konservatore akuzon qeverinë se mbron anarkistët, duke humbur kështu kontrollin mbi një territor të ndodhur pikërisht në qendër të qytetit.
Top Channel