Pedonalja e Gjerozës, Veliaj inspekton nisjen e punimeve

03/09/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e rrugës pedonale mbi Përroin e Gjerozës, pranë zonës së Dajtit, aktualisht një nga zonat më të degraduara në periferi të kryeqytetit, që shumë shpejt do të shndërrohet në një hapësirë model për qytetarët e që do të rrisë vlerën e pronës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi fillimin e punimeve deklaroi se, ky është një tjetër premtim i mbajtur, që jo vetëm do të transformojë zonën, por njëkohësisht do të ndikojë pozitivisht te bizneset dhe në rritjen e punësimit.

“Synimi ynë është që të mbajmë fjalën që u dhamë qytetarëve, se do të riktheheshim menjëherë në zonë për të bërë një investim për të moshuarit dhe fëmijët, të cilët duan më shumë hapësira mes pallateve. Për të kthyer një nga zonat më të degraduara të Tiranës, në atë që shumë shpejt do të quhet pedonalja e Gjerozës. Kur ta hapim, shumë prej kateve të para dhe të dyta që sot nuk kanë asnjë funksion do të rikthehen në shërbim të plotë, e besoj që jo vetëm do t’u rritet vlera shtëpive, por do të punësohen njerëz edhe në bizneset përreth”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi mirëkuptimin e banorëve të zonës për shqetësimet që mund të vijnë gjatë periudhës së punimeve, ndërsa siguroi për përfundimin e punimeve në një kohë sa më të shkurtër.

Veliaj deklaroi gjithashtu se, në dy vitet e ardhshme të mandatit të tij, ish-komunat do të kenë një vëmendje të veçantë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

“Jam gjithmonë i lumtur kur dëshmojmë sesi punët po ecin në Tiranë dhe jam posaçërisht i kënaqur, sepse gjatë të gjithë verës kemi hapur disa kantiere, duke filluar nga fshati Qeha, në Pëllumbas, në Krrabë, në Bërzhitë, në Zall-Herr. Synimi që kemi për gjysmën e dytë të mandatit është që ta vëmë fokusin më të madh në qendrat e ish-komunave, në qendrat e fshatrave. Kur kemi infrastrukturë të mirë, Tirana është vetëm dy hapa larg”, deklaroi Veliaj.

Duke u ndalur në investimet e realizuara në zonat në periferi të kryeqytetit, kreu i bashkisë vlerësoi edhe ndryshimet ligjore në ligjin “Për Gjendjen Civile”, që do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe të investimeve për qytetarët.

“Me ligjin e ri, çdo qytetar është regjistruar në Gjendje Civile aty ku banon. Kjo do të thotë se anomalitë e deritanishme, kur njerëzit banonin në komunën Dajt por shërbimet i merrnin në Tiranë, kanë marrë fund. Sot qytetarët janë regjistruar konform ligjit, aty ku kanë edhe adresën e banimit. Kjo do të thotë se tani u përgjigjemi më shumë qytetarëve, sesa kemi pasur në mënyrë fiktive në letrat e komunës Dajt apo të komunave të tjera që janë në kufi me Tiranën, e që në thelb ofrojnë shërbime për më shumë banorë sesa kanë pasur në inventarin e tyre të Gjendjes Civile. Kjo do të thotë që me këtë rregullim, me administratorët e pallateve, duhet të vijnë edhe investimet e bashkisë”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia falënderoi kryebashkiakun Veliaj për kujdesin e treguar dhe theksoi se gjithnjë e më shumë po zbuten diferencat midis qendrës dhe zonave në periferi të kryeqytetit. Ndërtimi i rrugës pedonale mbi Përroin e Gjerozës, që shtrihet në një zonë me ndërtime të reja, parashikon edhe krijimin e hapësirave çlodhëse, me lulishte të bollshme, si dhe me module të ndryshme lojërash për fëmijët.

Top Channel