Veliaj: Xhamia e re, hapësirë për besimtarët dhe qytetin

01/09/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Fillimisht ai vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku i uroi këtë festë kreut të besimtarëve myslimanë në vendin tonë, zSkënder Bruçaj, e më pas, nëpërmjet medias, edhe gjithë shqiptarëve.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Xhamia e Namazgjasë do të jetë gati vitin tjetër. Ajo do të shërbejë jo vetëm si një hapësirë e praktikimit të besimit për komunitetin mysliman, por edhe një hapësirë fantastike për qytetin.

“Ju uroj të gjithëve gëzuar Bajramin. Bashkë me deputetët e Tiranës uruam gjithë kolegët tanë, gjithë miqtë tanë, vëllezërit dhe motrat tona myslimanë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Më vjen mirë që kemi ecur shumë me punët e xhamisë, do të jemi gati për ta hapur vitin tjetër, kur më në fund komuniteti mysliman i Tiranës do të ketë një hapësirë e cila përveçse një xhami dhe vend i praktikimit të besimit për besimtarët, do të jetë një hapësirë fantastike për qytetin, me qendër kulturore, me muzeun, ndoshta më unik në Europë të bashkëjetesës fetare. Unë besoj se çështja e harmonisë fetare është diçka që kurohet çdo ditë, nuk është diçka që duhet ta marrim për të mirëqenë apo diçka që na vjen si dhuratë nga dikush tjetër, nëse ne vetë nuk investohemi përditë”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se sot, Bashkia e Tiranës dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak do të jenë pranë qendrave sociale për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të tregohen solidarë në një ditë si kjo.

“Ky është edhe motivi i kësaj feste, solidariteti. Nuk është një festë për të shpërndarë mish, është një festë për të shpërndarë dashuri, mirësi, përkujdesje. Kjo është diçka që duhet praktikuar përditë. Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që me të njëjtën mirësi si sot, në këtë festë të besimit, duhet të funksionojmë përditë. Ne mund të  bëjmë ndoshta atë që bën një pjesë që vë gishtin aty ku ka problem, ose aty ku ka një problem mund të shohim një mundësi për të shërbyer, për të bërë diçka të mirë dhe të mbarë. Ne si qytet me deputetët e Tiranës, me prefekturën dhe me të gjithë ata që shërbejnë në qytetin e Tiranës, mundohemi çdo ditë që të jetojmë me këtë mision”, përfundoi Veliaj.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta