
Besimtarët myslimanë në Berat, faljen e Kurban Bajramit e kanë bërë në pedonalen e qytetit. Ata u lutën për mirësi e shëndet në familjet e tyre.
Myftiu i Beratit dhe drejtues të tjerë të xhamive të qytetit uruan besimtarët, ndërkohë që ritet e festës kanë tërhequr vëmendjen e dhjetra turistëve.
Besimtarët myslimanë në Kukës që në orët e para të mëngjesit kanë falur Namazin në ambientet e dy xhamive të qytetit dhe fshatrave, ndërsa janë përshëndetur nga myftiu i Kukësit, Islam Hoxha.
Falja e Namazit në Bulqizë u bë në sheshin përpara xhamisë. Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri tha se sot është dita kur të gjithë njerëzit duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, në Bulqizë qindra banorë kanë marrë pjesë në ritin e therjes së kurbanëve pranë Tyrbeve.
Qindra besimtarë myslimanë edhe në Korçë festojnë sot Kurban Bajramin. Festa si çdo vit ka nisur në orën 6:30 të mëngjesit, kur në ambientet e Xhamisë “Iljaz Bej Mirahori” në Korçë qindra besimtarë janë mbledhur së bashku për të kryer faljen dhe për të uruar simbolikisht paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit.
Edhe në qytetin e Shkodrës me qindra besimtarë myslimanë i janë drejtuar xhamive mëngjesin e sotëm për të kryer ritin e faljes së Kurban Bajramit. Pjesa më e madhe e besimtarëve kanë kryer ritin e faljes pranë xhamisë Ebu Beker në qendër të qytetit që është dhe xhamia më e madhe në vend.
Me qindra kanë qenë besimtarët myslimanë vlonjatë që janë mbledhur në orët e para të ditës së sotme për të falur Namazin. Myftiu i Vlorës u ka bërë thirrje për më shumë dashuri dhe paqe më njëri-tjetrin.
Top Channel