Vrasja e gjyqtares, reagojnë BE, Presidenti, qeveria dhe opozita

31/08/2017 00:00

Vrasja e gjyqtares nga ish-bashkëshorti solli reagime të shumta, të opozitës dhe qeverisë, që nuk lanë mënjanë as akuzat. Po ashtu reagoi presidenti Meta, si edhe delegacioni i BE-së në Tiranë.
 

Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtares nga ish-bashkëshorti i saj duke kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve që nuk zbatuan urdhrin e mbrojtjes. “Mbrojtja e zonjës Kasemi ka qenë detyrim për autoritetet, të cilat tani duhet të nxjerrin pa u vonuar përgjegjësit dhe të mbajnë përgjegjësi për mosveprimin e tyre”, thuhet në një njoftim e ministrit ne detyre Gazmend Bardhi.

Një tjetër reagim nga ky institucion, ka ardhur nga zv/ministrja dhe ministrja e propozuar Etilda Gjonaj, e cila  akuzon sistemin gjyqësor që e liroi autorin e krimit.

“Ngjarja ishte një goditje e rëndë për të gjitha ne gratë me pozitë apo pa pozitë, dhe tregoi edhe njëherë për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, që kërkon në mënyrë imediate pastrimin nga gjyqtarë dhe prokurorë që keqzbatojnë ligjin.” – thuhet në reagimin e Gjonajt, e cila siguron angazhimin maksimal të Qeverisë së re, në jetësimin sa më shpejt të Reformës në Drejtësi.

Edhe Presidenti Ilir Meta e dënoi vrasjen barbare të gjyqtares dhe kërkoi dënimin e ashpër të autorit. Presidenti Meta u ka bërë thirrje të gjithë strukturave që të kthejnë vëmendjen ndaj grave. Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri e cilëson ngjarjen të tmerrshme, duke kërkuar një përgjigje të koordinuar nga institucionet përgjegjëse. 

Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar duke bërë përgjegjës të gjithë për vrasjen e gjyqtares. “Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezen në fatin e saj tragjik. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur” – shkruan Basha në Facebook.

Shumë të rëndë e ka cilësuar këtë ngjarje dhe kryetarja e LSI-se Monika Kryemadhi, e cila ka bërë përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi. Për Kryeministrin Edi Rama kjo ngjarje është një mesazh i qartë për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Krokodilët që lotojnë për gjykatësen e ndjerë nuk donin as Reformën në Drejtësi as Vetingun! Përpara me Vetingun për drejtësinë që duam.” – shkruan Kryeministri Rama.

Top Channel