EC: 5 vatra zjarri në 24 orët e fundit

31/08/2017 09:40

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 5 vatra aktive zjarri.

Sipas Emergjencave Civile, në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 45 punonjës zjarrfikës, 5 automjete zjarrfikëse, 70 forca ushtarake, rreth 60 punonjës të Pyjores e të bashkive dhe vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

QARKU LEZHË

Disa vatra të vogla zjarri në fshatin Skuraj Kurbin vijojnë të jenë ende aktive. Shërbimi zjarrfikës së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit malor.

QARKU SHKODËR

Në kodrat e fshatit Zogaj, Shkodër ka rënë zjarr në pyllin me dushk dhe pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 3 automjete zjarrfikëse dhe 40 forca nga efektivët e Forcave të Armatosura. Puna për izolimin dhe fikjen e plotë të vatrave të zjarrit po vijon. Zjarri i rënë disa ditë më parë në fshatin Munellë, Pukë ka vazhduar të jetë aktiv. Shërbimi zjarrfikës i Pukës, punonjës të Zonave të Mbrojtura dhe banorë kanë punuar për shuarjen e zjarrit deri në orët e vona të mbrëmjes. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vijon edhe ditën e sotme pasi zjarri në disa zona ka rënë në terren shumë të vështirë dhe është e pamundur për të ndërhyrë më forca dhe mjete.

QARKU ELBASAN

Zjarri i rënë disa ditë më parë në pyllin me pisha në fshatin Poroçan, Gramsh vijon të jetë aktiv. Zjarrfikëset, forcat e bashkisë dhe ato të pyjores kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar por pa mundur të shuajnë flakët për shkak të terrenit malor. Puna për shuarjen e vatrave të zjarrit po vijon ende.

QARKU DIBËR

Në fshatin Martanesh Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset kanë punuar, por nuk kanë mundur ta shuajnë plotësisht. Operacioni për fikjen e zjarrit vijon edhe ditën e sotme.

Top Channel