Reparti që u mori jetën 300 fëmijëve

30/08/2017 00:00

Në rrënojat e kampit famëkeq të punës “Reparti 84” në Tepelenë është përkujtuar sot Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve.

Disa dhjetëra të mbijetuar dhe familjarë të tyre morën pjesë në mbjelljen simbolike të selvive që do të pagëzohen me emrin “Pylli i Fëmijëve” në kujtim të rreth 300 fëmijëve që humbën jetën nga persekutimi, sëmundjet dhe uria brenda kampit më famëkeq të punës mes viteve 1949 dhe 1954.
 
Të mbijetuarit kujtojnë vuajtjet në vendin ku u burgos “pafajësia”.

“Këtu njerëzit kanë vuajtur heroikisht. Nuk janë ankuar, nuk kanë bërtitur, nuk kanë sharë. I kanë pranuar vuajtjet denjësisht”, thotë Lek Pervizi, i mbijetuar i kampit.
 
“Këtu për katër vjet e ca nuk u dha asgjë nga shteti. Shumë familje flinin mbi dërrasa dhe në shesh. Gjëja më e tmerrshme ishte uria. Na jepnin në drekë një lugë supë me bollgurin e ardhur nga Rusia, që kishte tepruar në depot ruse dhe kishte zënë krimba”, kujton Bilbil Çami, një tjetër i mbijetuar i kampit famëkeq.

Njëra prej kazermave pritet të kthehet në një muze të memories për këtë kamp dhe një tjetër mjedis do të përkujtojë të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri.

“Njëra nga kazermat do të kthehet siç ka qenë në vitet 1949-1954. Do të ndërtohet një memorial, që quhet “Memoriali i Varreve të Humbura të Fëmijëve”, do jenë 300 fidanë të qiparisave të vendit që do të jenë në zemër të kampit”, thotë Gentiana Sula, drejtore e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Diktatura komuniste përndoqi në këtë kamp mbi 5.000 persona. Familjet e persekutuara ishin nga veriu i vendit dhe kampi ishte përgjigjja e qeverisë komuniste ndaj grupit të familjeve të njohura si “Rezistenca e Maleve” që kundërshtuan me armë vendosjen e diktaturës në Shqipëri.

Top Channel