Prerja e pyjeve, vazhdon kontrabanda në jug-lindje të vendit

29/08/2017 00:00

Prerja e paligjshme e pyjeve dhe kontrabanda e druve vazhdon të jetë një fenomen masiv në jug-lindje të vendit. Përveç zjarreve të shumta të regjistruara në pyjet e Korçës, dora e njeriut po shkatërron sipërfaqe të tëra pyjore.

Rritja e kërkesës së qytetarëve për dru zjarri për stinën e dimrit nxit abuzuesit që t’u turen pyjeve dhe të presin pa kriter. Në këtë situatë alarmante, Drejtoria e Policisë së Korçës ka përgatitur një plan masash për t’i paraprirë fenomenit që përsëritet nga viti në vit e qe po çon drejt rrafshimit të pyjeve të Korçës dhe parqet kombëtare.

Rasti më i fundit është kapur nga policia në zonën e Vithkuqit, e cila mbetet një prej më problematikeve sa i takon prerjes së paligjshme të pyjeve.

“Policia ka bërë konstatimet, verifikimet dhe shoqërimet e personave përgjegjës, për të cilët është proceduar sipas ligjit të procedurës penale. Një nga rastet është edhe ky i tre mjeteve, fuoristrada të cilat realizonin tregti të paligjshme”, ka deklaruar Ardjan Lika, shef i Rendit në Korçë.

Ndërkohë, 3 automjete me dru të sapoprerë u kapën në afërsi të Vithkuqit nga policia, ndërsa personat përgjegjës u larguan duke braktisur automjetet dhe motosharrat e tyre. Por ata u identifikuan dhe shoqëruan në polici.

Sipas të dhënave zyrtare, policia ka konstatuar në 15 raste të prerjes së pyjeve në 3 muajt e fundit, ndërkohë që Inspektoriati Pyjor ka sekuestruar 179 metër kub dru.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta