Armët drejt Britanisë, “burg pa afat” për Çullhajn

28/08/2017 00:00

Megjithëse e konsideroi arrestimin e Saimir Çullhajt të paligjshëm, pasi nuk ekzistojnë kushtet e flagrancës, Gjykata e Krimeve të Rënda e la atë në arrest me burg për dyshimet se mund të jetë njëri nga trafikantët e armëve që dërgoheshin me postë nga Shqipëria në Britani.

Por 32-vjeçari Çullhaj i tha gjyqtarit Bib Ndreca se është përfshirë rastësisht në këtë çështje, pasi një i njohuri i tij i kishte kërkuar që të dorëzonte tre pako në një kompani postare ndërkombëtare meqenëse kishte automjet.

Gjatë hetimeve, Krimet e Rënda kanë identifikuar si bashkëpunëtor të 32-vjeçarit një ish-të dënuar për çështje droge, shtetasin Neritan Faria, i cili është shpallur në kërkim.

Burimet tregojnë për Top Channel se adresa e tre pakove që në total peshonin 13 kilogramë ishin tre shtetas britanikë, dy prej të cilëve jetojnë në Bedford dhe tjetri në Watford.

Këto janë adresat, tha një pjesëtar i grupit të hetimit, sipas të cilit një nga pritësit është identifikuar si Laurent Cloe. Por megjithë identitetet e ndryshme dhe destinacionet e ndryshme, të tre shtetasit nga verifikimet e deritanishme rezulton të kenë një numër kontakti, çka shton dyshimet se emrat e tyre janë fals. Avokati i tij Armir Veizi tha se do ta apelojë vendimin dhe se klienti i tij nuk e ka pranuar akuzën.

Identifikimi i Çullhajt u krye pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe targave të mjetit nga dilte personi që dorëzonte pakot. Si dërgues janë shënuar emrat e shtetasve Vangjel Tota, 72 vjeç dhe Pajtim Rexhepi, që besohet se janë po ashtu emra fiktivë.

Ndërsa pjesët e armëve, sipas burimeve nga laboratori i kriminalistikës, janë: gjilpërë kallashnikovi, qytë arme dhe mbulesë gazrash.

Top Channel