Reforma e Derregullimit, Ahmetaj prezanton rekomandimet

27/08/2017 00:00

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, Arben Ahmetaj prezantoi në funksionin e kreut të grupit të punës për Reformën e Derregulimit, rekomandimet për zbatimin e reformës që konsiston në reduktimin e lejeve, licencave, autorizimeve dhe procedurave, me qëllim uljen e burokracisë dhe rritjen e eficencës së institucioneve.

“Reforma e Derregulimit është një nismë e drejtpërdrejtë e kryeministrit dhe një nga nismat tona më të rëndësishme politike dhe në qeverisje, një reformë me në qendër qytetarin si përfitues të drejtpërdrejtë të shërbimeve publike. Rregullimi dhe derregulimi janë të dy fenomene të rëndësishëm në një ekonomi tregu, që në varësi të masës së aplikimit, mund të kthehen në pengesë apo nxitje për investimet e huaja dhe ato të vendit. Kjo reformë është jetësimi i një përpjekjeje tejet serioze dhe këmbëngulëse për ta kthyer shtetin, shërbëtor në shërbim të qytetarit dhe sipërmarrjes, duke ulur në maksimum peshën e burokracisë mbi ta. Synimi është t’i japim fund njëherë e mirë kalvarit të gjatë e të mundimshëm të hapave dhe procedurave që duhet të ndiqen për marrjen e një shërbimi apo të drejte nga shteti. Do të garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit apo sipërmarrjes nga shteti, vet shteti ta sigurojë në një sportel të vetëm dhe në kohë minimale. Dokumenti i Rekomandimeve për Derregulimin përbën një analizë tërësore të numrit të lejeve, licencave, autorizimeve dhe dokumenteve që kërkohen në këtë vend dhe ofron një set me rekomandime për zbatimin praktik të kësaj reforme”, u shpreh Arben Ahmetaj.

Sot numërohen rreth 141 autorizime të ndryshme të lëshuara nga 19 institucione qendrore dhe 94 licenca, numrin dhe afatet e përfitimit të të cilave synohet të reduktohen ndjeshëm përmes kësaj reforme.

Ahmetaj tha më tej se reforma e derregulimit ka 3 aspekte kryesore: Së pari, reduktimin e numrit aktual të lejeve, licencave dhe autorizimeve. Së dyti, ofrimi i shërbimeve publike në një sportel të vetëm, sipas konceptit “Public Service Hall”. Hapi i parë është hedhur me bashkimin e QKR dhe QKL për krijimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, por edhe rasti i ADISA-s, që ofron një gamë shërbimesh në një qendër unike. Së treti, dixhitalizimi. Pra ofrimi i shërbimeve publike elektronike, që kërkon vazhdimin e riinxhinerimit të shërbimeve ekzistuese, përdorimin e një platforme për ndërveprimin e sistemeve dhe aksesimin e tyre drejtpërdrejt nga publiku.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta