Uragani Harvey u përplas me zemërim mbi brigjet e Teksasit, duke shkundur ndërtesa e duke mbuluar shumë zona me shira të rrëmbyeshëm dhe me erëra që kapnin shpejtësinë e 215 km në orë.
Stuhia e kategorisë së katërt u dobësua pasi preku tokën, tha qendra kombëtare e uraganeve, e cila e klasifikoi “Harvey-n” mëngjesin e së shtunës, si stuhi të kategorisë së parë.
Tani, shqetësim nuk përbën fuqia e stuhisë, por sasia e reshjeve që do të sjellë ajo. Sipas ekspertëve, Harvey ka depozituar më shumë se 22.8 centimetra shi në disa zona dhe reshjet më të dendura nuk kanë filluar ende.
Uragani pritet të sjellë në total 38 deri 88 centimetra shi, e në disa zona të izoluara sasia e reshjeve mund të shkojë edhe në mbi 100 cm, e kjo situatë do të zgjasë deri të mërkurën.
Qendra kombëtare e uraganeve, tha se reshje të kësaj sasie mund të shkaktojnë përmbytje katastrofike, që mund të marrin edhe jetë njerëzish.
Sipas ekspertëve, përmbytjet që do të shkaktojë “Harvey” mund të arrijnë një thellësi të paparë ndonjëherë.
Dëmet ndërkohë nuk mund të vlerësohen menjëherë, ndërsa për momentin raportohet për një viktimë. Me mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa janë të shumta ndërtesat e dëmtuara.
Më herët, me dhjetëra e mijëra njerëz u larguan nga zonat bregdetare, pas urdhërit për evakuim të detyrueshëm. Atyre që nuk pranuan të largoheshin, iu kërkua të shkruanin numrat e sigurimit social në parakrah, në mënyrë që të ndihmonin në identifikimin e trupave në rastin më të keq.
Top Channel