U ndërtuan tre muaj më parë, dëmtohen këndet e lojrave në Elbasan

26/08/2017 00:00

Edhe pse janë inauguruar vetëm tre muaj më parë, këndet e lojërave në Elbasan, dita ditës po dëmtohen. Të njëjtin fat duket se po pësojnë edhe koshat e mbeturinave dhe stolat e vendosura nëpër parqe e rrugë.

Qytetarët thonë se përgjegjësia është edhe e prindërve që shoqërojnë fëmijët, por duhet edhe një mirëmbajtës për të.

Bashkia e Elbasanit ka kërkuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të mirëmbajtur investimet publike, të cilat u shërbejnë të gjithëve, ndërkohë që ka paralajmëruar masa ndaj rasteve që do të identifikohen.

 “Bashkia Elbasan ka vendosur edhe disa punonjës, të cilët do të jenë vëzhgues të këtyre parqeve publike, për të evidentuar çdo dëmtim që do të ndodhë nga qytetarë të papërgjegjshëm dhe do të merren masa ndëshkimore ndaj tyre, deri në gjobitje apo zhdëmtim të dëmit që shkaktojnë” shprehet Klevis Xhoxhi, Nënkryetar i Bashkisë Elbasan.

Një situatë e tillë, edhe një herë sjell në vëmendje mungesën e përgjegjësisë qytetare dhe kulturës për mbrojtjen e pasurive publike, të investuara me paratë e taksapaguesve. Ndërkohë që janë parashikuar kënde lojërash në të 6 lagjet e qytetit të Elbasanit, investime të tilla duket së shkojnë dëm brenda pak muajsh.

Top Channel