
Policia italiane përdori pompat e ujit dhe shkopinjtë e gomës mbi emigrantët që mbanin pushtuar një shesh të Romës, pavarësisht urdhrit për dëbim.
Pamjet filmike tregojnë disa prej refugjatëve duke bërtitur me të madhe ndërsa tentojnë të godasin mbrapsht forcat e rendit. Rreth 100 prej tyre e mbajtën sheshin të bllokuar që nga dita e shtunë, kur gati 800 banorë të paligjshëm u nxorën jashtë ndërtesës qeveritare ku kishin qëndruar për rreth 5 vjet.
Shumica e emigrantëve ishin azilkërkues nga Eritrea, të cilëve u është njohur e drejta e qëndrimit. Policia sqaroi përmes një deklarate për shtyp se kishte vendosur të ndërhynte pas informacioneve se refugjatët po planifikonin të përdornin bombola gazi dhe koktej molotov. Disa prej bombolave, sipas saj, u gjetën të porsahapura.
Ushtria austriake ndërkohë ka bashkuar forcat me policinë në kontrollin e rrugëve dhe linjave hekurudhore pranë kufirit me Italinë, në përpjekje për t’i frenuar emigrantëve hyrjen më thellë në Europë. Planet e Vjenës për forcimin e kontrolleve kufitare e tërbuan Romën në muajin korrik. Të dy vendet janë pjesë e Shengenit, zona e lëvizjes së lirë, shtetet e së cilës i kthyen verifikimet në kufi pas vërshimit të mbi 1 milion emigrantëve kryesisht nga Ballkani në vitet 2015-2016.
Së fundi, mësohet se me vështirësimin e itinerarit të Mesdheut, si alternativë e re nga kontrabandistët po shihet Deti i Zi. Vetëm pak ditë më parë, policia rumune ndaloi një gomone të mbushur me emigrantë të paligjshëm.
Top Channel