Anglia humbet një “luan”. Rooney i jep lamtumirën kombëtares

23/08/2017 00:00

Në vitin 2003, pasionit të tifozëve të futbollit anglez iu shtua edhe një arsye më shumë për të ndjekur kombëtaren. Në atë vit debutoi sulmuesi Wayne Rooney, një djalosh me vrapim qesharak në “Apton Park”, që hyri si zëvendësues duke fituar më pas zemrat e mbështetësve, si lojtari më i ri që debutonte te “Tre luanët”.

Por, thuajse një dekadë e gjysmë më vonë, bomberi ishullor vendos t’i japë lamtumirën kombëtares angleze.

Sulmuesi i rikthyer me bujë tek Evertoni, që ka qenë vendimtar në dy javët e para të Premier League me dy gola të shënuar, mori vendimin për të mos veshur më fanellën e përfaqësueses, pasi u konsultua më parë me trajnerin Gareth Southgate.

Sulmuesi me origjinë nga Liverpooli u aktivizua për 13 vite me Manchester United, përpara se të kthehej në “Goodison Park”.

Ai nuk u grumbullua për ndeshjet e muajit qershor ndaj Skocisë dhe Francës, ndërsa në fund të kësaj vere vendos të mos luajë me Anglinë, të cilën e ka përfaqësuar në 3 Botërorë dhe 3 Europianë.

Wayne Rooney nuk ka mundur dot të ngrejë asnjë trofe me kombëtaren, por ka qenë vëndimtar në shumë ndeshje, me 53 gola në 119 takime. Këto e kurorëzuan shënuesin më të mirë në historinë e Anglisë.

“Është një vendim me peshë të madhe, për të cilin fola më parë me familjen dhe njerëzit pranë. Të luaja me Anglinë ishte gjithnjë speciale, e për mua ishte privilegj. Por, besoj vërtet se është momenti ta braktis”, tha Wayne Rooney.

Top Channel