Premier League, Chelsea bën “pazar” te Leicester City

22/08/2017 00:00

Alvaro Morata nuk është i mjaftueshëm në repartin ofensiv, për të përballuar një sezon të gjatë e të lodhshëm në futbollin anglez, ndaj dhe te Chelsea po u japin përgjigje ankesave të trajnerit me oferta konkrete.

Pas një samiti të kërkuar nga pronari rus Abramovich mbi polemikat e fundit, londinezët kanë kthyer tashmë vëmendjen te java e fundit e merkatos, më konkretisht te dy futbollistë të Leicester City.

I pari është Jamie Vardy, sulmuesi që në sezonet e fundit ka qenë gjithmonë në merkato, por asnjëherë nuk ka lëvizur nga “Kingpower Stadium”. Trajneri Conte e konsideron ideal për skemat e tij te Chelsea, por Leicester e vlerëson të paktën 50 milionë paund, shifër e pranueshme duke konsideruar shpenzimet e çmendura që po njeh futbolli këtë verë.

Një tjetër futbollist i kombëtares angleze që militon te Leicester City mund të ndryshojë fanellë në ditët e fundit të merkatos. Danny Drinkwater ka dhënë pëlqimin e tij për t’u transferuar në “Stamford Bridge”, por Leicester kërkon 40 milionë paund për t’u privuar nga mesfushori, në një kohë që Chelsea ofron vetëm 30.

Këtë javë u zhvilluan sërish bisedime mes palëve, por pa sukses. Hendeku 10 milionësh në tratativa vazhdon ta mbajë futbollistin e “Tre Luanëve” larg kampionëve, e bashkë me të edhe një pjesë të ambicieve të trajnerit Conte për t’u rikonfirmuar në fron.

Top Channel