
Ashtu si në kualifikueset e Botërorit 2018 në futboll, historia e Kosovës rrezikon të përsëritet tashmë edhe në basketboll.
Përfaqësuesja e Kosovës në basket ka arritur në kualifikueset europiane për Botërorin “Kina 2019”, por palestra në të cilën realizoi këtë sukses historik nuk plotëson kushtet për ndeshje të këtij niveli.
Falë sukseseve emocionuese dhe të merituara në shtëpi, ndaj Maqedonisë dhe Estonisë, përfaqësuesja shqifolëse u rendit e dyta në grupin C të parakualifikueseve europiane, e në këtë mënyrë kaloi në raundin tjetër. Në këtë stad të fushatës, që çon në turneun global, rivalët e rinj do të mësohen me shortin e së enjtes, ndërsa ndeshja e parë luhet në fund të nëntorit.
Deri atëherë, në palestrën e vogël të “Pallatit të Rinisë” në Prishtinë duhet të bëhen rinovime të mëdha, në mënyrë që arena modeste të plotësojë kushtet për ndeshjet kualifikuese. Në palestrën e vogël të “Pallatit të Rinisë”, në kryeqendrën kosovare, Kosova ka luajtur ndeshjet ndaj Maqedonisë dhe Estonisë, por kërkesat e FIBA-s për ndeshjet e kualifikueseve janë më të mëdha sesa për ndeshjet parakualifikuese.
Top Channel