Fshati turistik i Dardhës ndodhet rreth 20 km nga Korça dhe mbetet një prej zgjedhjeve kryesore të turistëve.

E gjithë zona është rrethuar nga gjelbërimi, ka shtëpitë e tij karakteristike të ndërtuara me pllaka guri, rrugicat me kalldrëm, portat e zbukuruara me motive artistike e oborret plot me lule.

Përveç vizitorëve nga gjithë Shqipëria, fshatit nuk i mungojnë as të huajt, të cilët vlerësojnë mikpritjen, traditat dhe kulinarinë me ushqimet bio.

“Vij nga Roma, i fejuari im është nga Shqipëria dhe vendosëm të vijmë në Dardhë. Është një vend i mrekullueshëm, më pëlqejnë malet, shtëpitë e ndërtuara me gur, pylli, vendi këtu është shumë i bukur. Provuam edhe ushqimin, gjithçka ishte e freskët dhe sigurisht lakrori në saç ishte vërtet shumë i mirë”, thotë turistja italiane.

Dardha ka kryesisht turistë ditorë dhe një pjesë tjetër më e vogël në numër zgjedh që të kalojë fundjavën këtu, çka ka bërë që Bashkia e Korçës të nisë hartimin e një plani turistik për t’i bërë turistët që të qëndrojnë më gjatë në Korçë dhe të vizitojnë edhe atraksionet e tjera.

Sotiraq Filo, kryetari i Bashkisë Korçë, shprehet: “Në rast se bëjmë kombinimin e duhur, do të jemi në gjendje që të hartojmë paketa turistike me kohëzgjatje të ndryshme, jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt”.

Fshati Dardhë konsiderohet si një margaritar i vërtetë për atë çka natyra i fali, por edhe atë çka banorët kanë arritur të ruajnë, pasi ndryshe nga sa ndodh rëndom, këtu dora njerëzore nuk ka arritur të tjetërsojë asgjë.

Top Channel