Kryeministri Edi Rama shprehu mosdakordësinë me raportin e ministrave të dorëhequr, duke e vlerësuar atë si një epilog të pavend, që kompromentoi gjithçka të mirë të ndërtuar në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë.
Por, kjo nuk e pengoi kryeministrin që të falenderojë ministrat teknikë të Partisë Demokratike për kontributin e dhënë dhe veçanërisht zëvendëskryeministren për rolin konstruktiv dhe profesional në drejtimin e task forcës për zgjedhjet.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama shprehu keqardhjen që kjo përvojë pozitive përfundoi, siç thotë, “me një dokument politik, krejt të njëanshëm dhe aspak në nivelin e lartë profesional të zëvendëskryeministres teknike, si drejtuese e Task Forcës”.
Jo pa ironi, kreu i qeverisë u shprehu ministrave teknikë mirëkuptimin e tij për ato që i quan “gafa të bujshme e krejt të panevojshme pas zgjedhjeve në sektorin e arsimit” apo “për mbytjen në fund fare në lugën e ujit të politikës, prej ku ka dalë edhe raporti i njëanshëm, joteknik e joprofesional i Task Forcës”.
Ndërsa Lulzim Basha, siç pritej, e cilësoi raportin e ministrave teknikë si dëshminë më të fundit që që provon se Edi Rama i manipuloi zgjedhjet dhe se në to “u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm i paligjshëm për ndikimin e votës, duke përfshirë aktivizimin e kriminelëve dhe parave të drogës dhe korrupsionit qeveritar”.
Duke cituar raportin, Lulzim Basha thotë se “ministrat teknikë u sabotuan, drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin me ta dhe nuk iu bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare”.
Për këtë, kreu i opozitës bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë se i mungoi vullneti për të përmbushur marrëveshjen.
Në reagimin e tij, Lulzim Basha rikonfirmoi vendosmërinë e Partisë Demokratike për një reformë të thellë të sistemit politik dhe për një reformim të thellë të sistemit zgjedhor, përfshi votimin dhe numërimin elektronik.
Top Channel