Nis zgjerimi me 17 klasa të reja i shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini”

18/08/2017 00:00

Kur ka mbetur më pak se një muaj nga fillimi i sezonit të ri shkollor, Bashkia Tiranë ka bërë të mundur rikonstruksionin e plotë të shkollës “Isa Boletini” në Kodër Kamëz, e cila me shtimin e 17 klasave të reja do të mund të shmangë mësimin me dy turne.

“Më në fund, shkolla “Isa Boletini” do të çlirohet nga makthi i klasave me dy turne sepse zona është transformuar. Praktikisht, po ndërtojmë një shkollë të dytë sepse shtesa është me 17 klasa, ndërkohë që 15 klasa bëjnë turnin e dytë. Kështu, jo vetëm që kemi hapësira për ata që e bëjnë mësimin turnin e dytë, por kemi edhe për të ardhmen, me shtesat që mund të vijnë nga rritja e popullsisë së zonës dhe nxënësve që do të regjistrohen në këtë shkollë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi performancën e shumë nxënësve të kësaj shkolle, duke i përdorur si shembull të faktit që nuk ka rëndësi se ku banon për të pasur sukses: “Kush mëson, kush është i aftë, kush përpiqet, kush ka talent, ka një të ardhme në Tiranë. Ndaj, besoj se ka ardhur koha që edhe cilësia e infrastrukturës ku dalin nxënësit me dhjeta të jetë e njëjtë si talenti i nxënësve të mrekullueshëm që kemi në këtë shkollë”.

Nga periferia e Tiranës, Veliaj u shpreh se gjatë dy viteve të ardhshme në fokus të investimeve të bashkisë do të jetë infrastruktura e këtyre zonave: “Fokusi në dy vitet e ardhshme të mandatit tonë do të jenë Kodër Kamza, Fresku, zona e Astirit, Unazës së Re, zona e Yzberishtit, ku kemi pasur edhe problematikat e ditëve të fundit, apo zona e Liqenit Artificial. Pra, zonat periurbane të Tiranës, të cilat janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa ritmi i investimeve të Bashkisë së Tiranës, qoftë për institucione sociale, qoftë për rrjetin ujësjellës apo atë rrugor”.

Në këtë pikë, Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve për lirimin e zonave të zaptuara para se të vijnë fadromat e bashkisë.

Top Channel