Ndalimi i azilkërkuesve, kërkohet ndihma e agjencive turistike

17/08/2017 00:00

Pas urdhrit të kryepolicit Haki Çako për verifikim të dokumentacionit ndaj shtetasve shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, edhe drejtoresha e Përgjitshme për Kufirin dhe Migracionin ka kërkuar ndihmën e agjencive turistike.

Siç tregon një shkresë, shkak është bërë azilkërkimi në rritje, gjë që sipas kryepolices Aida Hajnaj mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ndihma për të sensibilizuar shtetasit dhe për t’i këshilluar ata i kërkohet Shoqatës shqiptare të Turizmit dhe zërit të biznesit të turizmit shqiptar, ndërsa për dijeni i është përcjellë edhe Ministrisë së Turizmit.

“Do të ishte e nevojshme – nënvizon Hajnaj, – që t’ua bëni të ditur shtetasve shqiptarë që paraqiten pranë agjencive tuaja, kushtet që duhen plotësuar për të kaluar kufirin dhe për të udhëtuar në vendet e zonës ‘Schengen’”.

Drejtuesja e Policisë Kufitare radhit si të tilla adresën e saktë të akomodimit, ftesën e pritësit, biletën e rezervimit për kthimin në atdhe, si dhe faturën financiare.

Por ajo çfarë është më e rëndësishme, kërkohet t’iu kujtohet të gjithë atyre që iu është refuzuar azili dhe që janë kthyer pas datës 1 Janar 2016, se duhet të posedojnë një dokument që provon se nuk iu ndalohet hyrja në këto shtete. I njëjti kriter nevojitet edhe për personat e deportuar pas 1 Janarit 2015.

Pak ditë më parë, gjatë një interviste për Top Channel, Hajnaj pohoi se që nga 1 gushti, policia u ka kundërshtuar të drejtën për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian 55 shtetasve, shumica e të cilëve rezulton të jenë kthyer në Shqipëri pas refuzimit të azilit.

Top Channel