Banorët e fshatrave të Antigonesë, përballë Gjirokastrës, mund të jenë ndër të paktat zona ku emigracioni është i ulët dhe punën e kanë fokusuar tek pronat e tyre.

Vetëm vitet e fundit janë mbjellë qindra pemë frutore dhe ullinj, është rritur numrin i bagëtive të imta dhe është shtuar prodhimi i mjaltit.

“Kjo është një njësi administrative që përbëhet nga pesë fshatra, tre fshatra janë të hershme dhe dy fshatra janë të rinj, që janë edhe më afër qytetit”, thotë Kreshnik Gumaj, administrator i njësisë.

Fermerët, duke qenë pranë Gjirokastrës e shesin prodhimin e tyre, por ankohen për mungesa në ekspertizë bujqësore dhe plehra kimike.

“Interesi për fermerët, për parqe me bletë është shumë i madh. Këtu është problemi medikamenteve. Kam gjashtë vjet që ushtroj pemtarinë, ullirin. Problemi kryesor këtu është lloji i ilaçeve për spërkatje. Jemi munduar t’i blejmë në internet, më tepër në Greqi”, thonë fermerët.

Dy mijë banorët e Antigonesë mbarështojnë mbi 6000 krerë të imëta dhe gjedhë, ndërsa njihen të paktën 20 bletërrites profesionistë. Ndërkohë, Parku Arkeologjik i Antigonesë ka sjellë edhe vizitorë të shumtë, që përkthehet në interes ekonomik për zonën.

Top Channel