5 vatra zjarri aktive, ushtria dhe helikopterët në aksion

15/08/2017 00:00

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 5 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë e Gjirokastër. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 50 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 60 efektivë nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, 48 punonjës të Pyjores dhe të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në qarkun e Vlorës janë ende aktive vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Finiq dhe Delvinë.

Situata ka qenë problematike në fshatrat Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, Bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo të bashkisë së Delvinës. 

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, është angazhuar dhe një helikopteri duke shuar të gjitha vatrat e zjarrit.

Në Qarkun e Tiranës, vijon aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të bashkisë së Rrogozhinës. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të mbështetura edhe nga një helikopter kanë vijuar për shumë orë ndërhyrjen për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit.  Ndërsa në njoftimin e saj, drejtoria e emergjencave civile sqaron edhe për situatën e zjarreve në qarkun e Gjirokastrës.

Kanë vazhduar të jenë të ndezura disa vatra zjarrit në Jorgucat të bashkisë Dropull dhe në fshatrat Kardhiq dhe Dhoksat të bashkisë së Gjirokastrës. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake kanë punuar duke shuar plotësisht zjarret në Dhoksat, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e vatrave të fshehura në fshatin Jorgucat dhe Kardhiq.

Në Korçë është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha në fshatin Panarit. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të mbështetura nga forca ushtarake, por kërkohet ndërhyrje nga ajri, për shkak të vështirësive të terrenit.

Top Channel