Abuzimet tek ALUIZNI dhe Hipoteka, KLSH: Dëmi 18 mln euro

11/08/2017 00:00

Abuzimet e administratës publike me pronat në katër vitet e fundit kapin shifrën 2.4 miliardë lekë, ose 18 milionë euro.

Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi se dëmi është konstatuar nga auditimet e ushtruara në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, si dhe në degët e ALUIZNI-t.

Sipas KLSH, për periudhën 2013-2017, në këto dy institucione janë ushtruar 40 kontrolle, nga të cilat 22 në zyrat e regjistrimit të pronave dhe 18 në drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t.

Organi suprem i auditimit thotë se nga kontrollet janë konstatuar një sërë shkeljesh, si regjistrime të falsifikuara të pronave, mbivendosje, legalizime të paligjshme dhe mosarkëtim taksash.

Sipas KLSH, në total këto abuzime arrijnë në 2 miliardë e 404 milionë lekë. Por institucioni më i lartë i kontrollit thotë se ky është vetëm dëmi i matshëm.

Sipas KLSH, paralelisht ekziston edhe një dëm i fshehtë shumë herë më i lartë. Ai lidhet me një zinxhir të stërzgjatur pasojash sociale, mjedisore dhe ligjore të shkaktuara si pasojë e paligjshmërive të kryera ndër vite nga ana e punonjësve dhe drejtuesve të ALUIZNI-it dhe hipotekave.

Për shkeljet e zbuluara KLSH raporton se ka kallëzuar penalisht 196 punonjës dhe ka kërkuar largimin nga puna të 134 të tjerëve. ALUIZNI dhe Zyrat e Regjistrimit të Pasurive janë ndër institucionet më të denoncuara nga qytetarët për burokraci, por edhe korrupsion.

Dy javë më parë kryeministri Edi Rama shkarkoi publikisht të gjithë drejtorët e hipotekave, duke i akuzuar për nepotizëm, deformim të të dhënave dhe korrupsion.

Top Channel