Në jug flakët i shuan shiu. 13 vatra në të gjithë vendin

09/08/2017 00:00

Në Jergucat të Gjirokastrës ishte vatra më e madhe e zjarrit, e cila rrezikoi edhe djegien e shtëpive në këtë fshat. Vatra të tjera u regjistruan në Qafë Muzinë.

Përveç ndërhyrjes së autoriteteve, për fikjen e zjarreve në këto zona ndihmuan edhe disa reshje shiu.

Emergjencat Civile në një deklaratë për mediat thanë se specialistët ndodhen në terren duke monitoruar situatën. Të mërkurën në të gjithë territorin janë angazhuar rreth 300 zjarrfikës dhe forca të ushtrisë që po punojnë me 21 automjete zjarrfikëse.

Tre vatrat e zjarrit në qarkun e Dibrës vijojnë të jenë aktive në Madhesh të Burrelit dhe Zerqan të Bulqizës, por janë izoluar.

Në qarkun e Lezhës rezultojnë aktive 2 vatra zjarri, një në malin e Rrencit, ku janë djegur 5 ha me shkurre dhe pisha; dhe vatra e riaktivizuar pranë kishës së Shna Nout, ku është ndërhyrë nga ajri me helikopter.

Qarku i Tiranës rezulton më problematiku me 3 vatra, përkatësisht në Mushqeta, Cikallesh dhe Malin e Derjes. Sipas Emergjencave Civile, ndëhryjet janë të vështira dhe pjesa më e madhe e punës po bëhet nga ajri.

Në Fier u arrit të shuhej plotësisht një vatër zjarri në Ardenicë, ku zjarrfikësit u ndihmuan edhe nga helikopteri. Edhe në Durrës, sipas EC, u arrit të shuhej plotësisht një vatër zjarri në Kërtushaj, ku flakët i ishin afruar një banese dhe dogjën 5 ha me shkurre e pisha.

Në qarkun e Beratit, zjarri i rënë në parkun e Bogovës vijon prej dy ditësh dhe operacioni pritet të vijojë nëpërmjet helikopterit, si e vetmja mënyrë për ndërhyrje për shkak të terrenit të thyer.

Top Channel