
Moti përvëlues në Itali ka bërë që një prej galerive kryesore të artit në vend të mbyllet. Jo sepse vendi është një nga më të frekuentuarit për turistët këtë verë, por gjithçka është e lidhur me mërkurin në termometër.
“Uffizi Galleri” në Firence, ku janë ekspozuar punime me famë botërore si “Lindja e Venusit” e Sandro Botticellit apo edhe piktura të njohura të Leonardo da Vincit, ka mbyllur dyert për 5 orë në ditë, për shkak të temperaturave të larta në rajonin e Mesdheut dhe në Europë.
E quajtur me emrin “Lucifer”, vala e të nxehtit po rezulton e rrezikshme, pikërisht në kulmin e verës, kur edhe vizitorët në muzeume dhe galeri janë më të shumtë.
Sipas të dhënave, “Uffizi Gallery” është muzeu i artit më i vizituar. Sistemi i rëndësishëm i ajrit të kondicionuar brenda tij ushqehet nga uji i ftohtë, që vjen prej lumit të afërt Arno, por duke qenë se niveli i ujit në të është shumë i ulët, sistemi i ajrit të kondicionuar nuk mund të funksionojë siç duhet, në mënyrë që të përballojë turmat e turistëve.
Fatmirësisht, drejtori i muzeut ka siguruar fansat e artit se punimet e vyera të ekspozuara atje nuk janë aktualisht të rrezikuara. Sipas tij, gjithçka është bërë duke pasur parasysh rehatinë e vizitorëve, që duhet të gjejnë temperatura më të freskëta dhe edukim kulturor diku tjetër.
Top Channel